
Marash Kumbulla nuk ka shkelur ende në fushën e blertë në këtë sezon me skuadrën e Romës, pasi mbrojtësi sapo ka përfunduar fazën e riaftësimit nga dëmtimi i rëndë që pësoi në sezonin e kaluar. Qendërmbrojtësit shqiptar mund t’i jepet kjo mundësi shumë shpejt në një skuadër tjetër, pasi verdhekuqtë po mendojnë të largojnë futbollistin.
Gjatë ditëve të kaluara u fol për një interesim të Kaljarit, me një shkëmbim të planifikuar me Romën. Por asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim dhe skuadra të tjera kanë hyrë në garë për mbrojtësin në ditët e fundit të merkatos.
“Sky Sport” bën të ditur se klubi i Sasuolos ka bërë hapin e parë konkret duke kërkuar në huazim mbrojtësin shqiptar për pjesën e dytë të sezonit nga radhët e Romës. Edhe Udineze mendohet se do të bëjë të njëjtën gjë, pasi nuk ia doli të firmoste me Lovaton, i cili përfundoi te Torino. Kumbulla është i interesuar të aktivizohet rregullisht në pjesën e dytë të sezonit, që të mos humbasë mundësinë për të qenë pjesë e Shqipërisë në “EURO 2024”, ku kuqezinjtë ndodhen në GRipn B së bashku me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.
Lini një Përgjigje