TAGS-AT E JAVËS

Sport 4 Tetor 2023, 16:38

Java e 8 e Superiores/ Spikat derbi i Durrësit, klasikja e Shqipërisë luhet në Kukës

Shkruar nga Pamfleti

Java e 8 e Superiores/ Spikat derbi i Durrësit, klasikja e

Ditën e djeshme janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 7 të Abissnet Superiore, ku pati jo pak surpriza.

Gjithsesi nuk ka kohë për të humbur dhe ekipet kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës.

Java e 8 e Superiores do të luhet sërish në 3 ditë. Të premten dhe të shtunën do të luhet nga një takim, ndërsa të dielën plot 3.

Egnatia-Dinamo do të ngrejë siparin e kësaj jave, me sfidën që do të luhet të premten duke nisur nga ora 14:00. Rrogozhinasit pavarësisht humbjes me Skënderbun në këtë përballje vijnë sërish si kryesues të kampionatit. Ndërkohë “Blutë” do të tentojnë të surprizojnë rrogozhinasit në “Demrozi Stadium”.

Ndërkohë e shtuna është e gjitha e rezervuar vetëm për Klasiken e Shqipërisë. Vllaznia dhe Tirana do të vihen përballë njëra-tjetrës në orën 14:00. Këtë herë ndeshja e dytë më e rëndësishme dhe e luftuar e kampionatit shqiptar nuk do të luhet as në “Loro Boriçi” as në Tiranë, por në “Kukës Arena”. Kjo për shkak se shkodranët janë pritës dhe në stadiumin e tyre po bëhet mbjellja e barit.

3 ndeshjet e mbetura do të luhen ditën e dielë. Fillimisht Laçi pret Skënderbeun në Kurbin me sfidën që do të startojë në orën 14:00. Një duel i fortë mes tyre, pasi të dyja ekipet aktualisht i ndajnë vetëm 2 pikë në tabelën e klasifikimit. Korçarët renditen në vendin e 2 me 12 pikë, ndërsa kurbinasit janë në vendin e tretë me 10 pikë.

Në orën 18:00 do të luhen dy sfida paralelisht. Në “Arenën e Demave” do të përplasin “brirët” Partizani dhe Kukësi. “Demat” nuk kanë rrugë tjetër veç fitores, pasi në të kundërt do të rrezikojnë të hyjnë në “vorbullën” e zonës së ftohtë. Ndërsa nga krahu tjetër verilindorët duken se kanë rilindur me Stavri Nicën. Në 3 sfidat e fundit kanë marrë 7 pikë dhe fitorja me përmbysje ndaj Erzenit i ka motivuar për një tjetër 3 pikësh në kryeqytet.

Në të njëjtën orë në Durrës do të luhet derbi mes Teutës dhe Erzenit. Edi Martini ka rikthyer entuziazmin e munguar te “Djemtë e Detit” dhe në derbi synojnë vetëm fitoren, ndërsa shijakasit pas dy humbjeve radhazi dëshirojnë të “rinisin” gjithçka pikërisht në derbi dhe një 3 pikësh ndaj rivalëve do të “shëronte” çdo “plagë”.

Ndeshjet e javës së 8 të Superiores:

Të premten:

14:00/ Egnatia – Dinamo (Demrzoni Stadium)

Të shtunën:

14:00/ Vllaznia – Tirana (Kukës Arena)

Të dielën:

14:00/ Laçi – Skënderbeu (Stadiumi “Laçi”)

18:00/ Partizani – Kukësi (Arena e Demave)

18:00/ Teuta – Erzeni (Niko Dovana)

vllaznia tirana teuta abissnet superiore

Lini një Përgjigje