
Mesfushori shqiptar, Erdis Kraja ka marrë sot lajmin e hidhur. Klubi i Askolit ka bërë të ditur se dëmtimi i pësuar në ndeshjen e fundit ndaj Lekos, do ta lërë ish-lojtarin e përfaqësueses Shpresa për një periudhë të gjatë larg fushave të lojës.
Kraja pësoi dëmtim gjatë sfidës dhe fillimisht u mendua se nuk ishte gjë shumë serioze. Por sot klubi i Askolit bëri të ditur se lojtari do të detyrohej t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale.
“Në vijim të vizitës së kryer nga mesfushori në Peruxhia pranë specialistëve, u konstatua këputja e ligamentit krocat të jashtëm, për të cilin nevojitet rikonstruksioni biologjik në artroskopi. Ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet të hënën më 30 tetor”, shkruhej në njoftimin e Askolit.
Mesfushori 23-vjeçar shqiptar kishte kaluar këtë vit tek Askoli në huazim me të drejtë blerjeje nga Atalanta, e cila zotëron kartonin e Krajës. Deri më tani, ai kishte luajtur 5 ndeshje me skuadrën e Askolit në Serinë B, por ky dëmtim mund ta mbajë jashtë fushave të lojës deri në mbyllje të këtij sezoni.
Lini një Përgjigje