
Interi lë sërish pikë në javën e 30-të të Serie A duke barazuar 1-1 me Fiorentinën në një ndeshje intensive në Stadio Artemio Franchi të Firences, më 22 mars 2026. Zikaltrit mbeten në krye të renditjes, por barazimi i tretë radhazi tregon shenja lodhjeje në fund të sezonit.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për Interin: vetëm në minutën e parë, Francesco Pio Esposito shënoi me kokë pas një asistimi të saktë nga Nicolò Barella, duke i dhënë epërsinë 1-0 zikaltrave që dukej se do të kontrollonin takimin pa problem.
Në pjesën e parë, Fiorentina pati raste të mira për të barazuar, Moise Kean dhe Albert Guðmundsson rrezikuan portën e Yann Sommer-it, por pa sukses. Interi pati edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje (përsëri me Barella), duke shtuar tensionin dhe polemikat.
Pas pushimit, Fiorentina rriti presionin dhe shpërbleu përpjekjet në minutën e 77-të, kur Cher Ndour reagoi më shpejt se të gjithë në zonë pas një topi të kthyer dhe barazoi në 1-1 me një goditje të saktë.
Deri në fund, të dy skuadrat patën tentativa për gol, Francesco Pio Esposito pati një rast të mirë në minutat shtesë që u prit nga David de Gea, por rezultati mbeti i pandryshuar. Trajnerët bënë zëvendësime për të freskuar lojën, por asnjëra palë nuk arriti të merrte tri pikët.
Ky barazim është i treti radhazi për Interin, por ata vazhdojnë të kryesojnë renditjen me 69 pikë pas 30 javësh, Epërsia ndaj AC Milan-it 63 pikë, mbetet 6 pikë, ndërsa Napoli është në vendin e tretë me 62 pikë.
Lini një Përgjigje