
Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 37, që është e parafundit për këtë sezon në Serinë A. Vëmendja ishte padyshim në “Ennio Tardini”, aty ku Parma priti Napolin dhe në supersfidën në “San Siro” mes Interit dhe Lacios.
Napoli i drejtuar nga Antonio Konte ka zhgënjyer, duke mos shkuar më shumë se barazimi pa gola ndaj Parmës, por napolitantët morën një “dhuratë” të madhe nga Lacio.
Në “San Siro”, në kryesfidën e javës së 37, Interi nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Lacios, në një ndeshje me plot emocione dhe në fund u mbyll në mënyrë dramatike për të zotët e shtëpisë. Pjesa e parë përfiundoi 1-0 për zikaltrit, të cilët gjetën golin në minutën e parë shtesë me Bishek.
Lacio barazoi shifrat me Pedron në minutën e 72 me një gol të kontestuar, ku u desh edhe ndërhyrja e VAR-it, pasi dyshohej për pozicion jashtë loje, por arbitri kryesor i takimit vendosi ë goli të quhej i rregullt.
Gjithsesi, zikaltrit nuk u dorëzuan dhe vetëm pak minuta më pas gjetën golin e avantazhit. Çalhanollu krosoi në zonë nga goditja e dënimit, Denzel Dumfris i shpëtoi mbrojtes bardhekaltër dhe dërgoi me kokë topin në rrjetë. Por, bardhekaltrit e Baronit nuk u dorëzuan dhe fituan një penallti pas prekjes së topit me dorë nga Bishek brenda zonës, për të cilën u desh edhe ndërhyrja e VAR-it. Pedro mori topin dhe u tregua i saktë përballë Somerit, duke barazuar shifrat dhe duke heshtur “San Siron”.
Në minutat e fundit shtesë, Interi gjeti golin me Arnautoviç, por që nuk ishte i rregullt, u anulua për pozicion jashtë loje. Kur mbetet për t’u luajtur dhe java e fundit, Napoli kryeson me 79 pikë, ndërsa Inte0ir ndjek me një pikë më pak. Javën që vjen, që është e fundit, Interi luan në transfertë ndaj Komos, ndërsa Napoli pret në shtëpi Kaljarin.
Lini një Përgjigje