
Ardian Ismajli mbetet një emër fiks në tregun e Serisë A, por e ardhmja e tij nuk pritet të ndryshojë në këto ditë të fundit të merkatos. Juve ishte një nga opsionet e lakuara shpesh, por “Zonja e Vjetër” i besoi postin e qendërmbrojtësit, portugezit Renato Veiga.
Sipas “Corriere dello Sport”, në këto kushte dy mbeten opsionet e fundit për qendërmbrojtësin kuqezi, Napoli dhe Lacio. Fillimisht ekipi i Kontes e kishte vendosur Ismajlin në majën e listës së dëshirave, por me sa duket Blutë nuk preferojnë të investojnë afro 8 milionë euro në janar, për një lojtar që mund ta marrin falas në fund të këtij sezoni.

Opsioni i fundit është Lacio, por dhe këtu ka një pengesë, bardhekaltërit duhet fillimisht të shesin për të futur një lojtar të ri në listë. Në këto kushte, Ismajli pritet të qendrojë tek Empoli deri në fund të sezonit. Duke qendruar te Lacio, ka një ndryshim 180 gradë në lidhje me të ardhmen e Elseid Hysaj.

Anësori kuqezi ka zhvilluar paraqitje pozitive sa herë është thirrur në apel, ashtu si në sfidën e fundit kundër Fiorentinës. Hysaj është përfshirë në listën e lojtarëve në Serinë A, por së fundmi sipas mediave italiane, Hysaj pritet të jetë pjesë e ekipit edhe në Ligën e Europës.
Lini një Përgjigje