
Shqipëria do të përballet me Poloninë më 26 mars, në një ndeshje të vlefshme për fazën gjysmëfinale të “play-off”-it të Botërorit. Takimi konsiderohet vendimtar për ecurinë e të dyja përfaqësueseve drejt kualifikimit.
Ndërkohë që në Poloni vihet re njëfarë nënvlerësimi ndaj Shqipërisë. Gazetari polak Wojitek Piela ka ofruar një këndvështrim ndryshe, duke vlerësuar disa prej lojtarëve kuqezi.
Në një deklaratë për “Kohën Shtesë”, Piela theksoi se dy lojtarë shqiptarë do të kishin vend të sigurt në përfaqësuesen polake: Kristjan Asllani dhe Berat Gjimshiti. Sipas tij, përveç cilësisë individuale, ata mbulojnë edhe pozicione ku Polonia ka mungesa.
“Jam shumë i sigurt për dy prej tyre, Kristjan Asllanin dhe Berat Gjimshitin. Jo vetëm për klas, por edhe për rolet ku luajnë, pasi Polonia ka nevojë për një mesfushor dhe një mbrojtës të tillë”, u shpreh ai, duke vënë në dukje dhe eksperiencën e tyre në shumë ndeshje ndërkombëtare.
Gazetari përmendi edhe një emër të tretë, Armando Brojën, për të cilin tha se mbetet një talent i madh, pavarësisht formës jo të mirë aktuale në Premier Ligë.
“Broja mund të ishte gjithashtu një opsion. Ai ka treguar potencial të madh te Çelsi dhe Sauthemptoni. Edhe pse aktualisht nuk është në formën më të mirë, Polonia nuk ka shumë sulmues në nivele të tilla. Përveç Levandovskit, një profil si ai do të ishte shumë i dëshiruar nga trajneri”, shtoi Piela.
Deklaratat e tij hedhin dritë mbi vlerësimin individual të lojtarëve shqiptarë, në prag të një përballjeje të rëndësishme mes dy kombëtareve.
Lini një Përgjigje