
Erling Haaland pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e Manchester Cityt kundër Nottingham Forest, pasi duket se ka respektuar rregullat strikte të vendosura nga trajneri Pep Guardiola gjatë pushimit të Krishtlindjeve.
Superylli norvegjez i “Sky Blues”, 25 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe bashkëlojtarëve duke publikuar në Instagram një foto të peshores, e cila tregonte 94.4 kilogramë. Krahas fotos, Haaland shkroi me ironi: “Gjithçka në rregull!”, duke lënë të kuptohet se ka kaluar pa probleme kontrollin fizik.
Para festave, Guardiola u kishte bërë një paralajmërim të qartë lojtarëve të tij, duke kërkuar disiplinë maksimale në ushqim dhe formë fizike. “Kur të kthehen pas tre ditësh, dua të shoh si duken. Do të jem aty më 25 dhjetor për të kontrolluar sa kilogramë kanë shtuar, nëse janë shëndoshur”, kishte deklaruar tekniku spanjoll.
Guardiola kishte vendosur edhe një kufi të prerë: çdo lojtar që do të paraqitej më shumë se tre kilogramë mbi peshën e lejuar, nuk do të udhëtonte me skuadrën drejt Nottinghamit. Forma fizike dhe dieta e shëndetshme mbeten thelbësore në filozofinë e trajnerit të Cityt.
Lojtarët e Manchester Cityt u peshuan për herë të parë para ndeshjes kundër West Ham United, të fituar 3-0, në mënyrë që peshat e tyre të krahasoheshin me ato pas pushimit festiv. Kontrollet u përsëritën përpara udhëtimit të radhës.
Manchester City do të përballet me Nottingham Forest nesër në orën 13:30, ndërsa Haaland, pas zyrtarizimit të peshës së tij, pritet të marrë “dritën jeshile” nga Guardiola për të qenë pjesë e formacionit.
Lini një Përgjigje