TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Dhjetor 2023, 16:25

“Futbolli nuk është vetëm ekonomi”, Rumenige: Spanjollët donin krijimin e Superligës së Europës për të dëmtuar Premier Ligën

Shkruar nga Pamfleti
“Futbolli nuk është vetëm ekonomi”, Rumenige:

Ndërsa pret që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të vendosë për këtë çështje nesër, më 21 dhjetor, Karl-Heinz Rumenige, ish-lojtari i Interit dhe tani në bordin e Bajernit të Mynihut, kthehet për të folur mbi këtë projekt, i intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”.

Menaxheri kujton veçanërisht natën në të cilën lindi zyrtarisht Superliga, me mesazhet e vazhdueshme nga Ceferin dhe pamundësinë për të folur me presidentin e atëhershëm të Juventusit, Andrea Anjeli. Bajerni i Mynihut, së bashku me PSG-në, ishte i vetmi klub i madh evropian, gjithmonë kundër idesë së Superligës.

Po çfarë ndodhi në të vërtetë atë natë? “Isha i shqetësuar. Ata ishin 12, më kot ishin përpjekur të na bindnin ne dhe të tjerët. Ishin në pikën e thyerjes. Mendova: Po sikur të fillonin vërtetë një revolucion? Do të ishte kaos. Pas dy ditësh flluska plasi.

Isha në stadium për Bajernin dhe Ceferin më dërgonte mesazhe çdo pesë minuta për të më thënë: Çelsi, Liverpuli dhe Mançester Siti janë tërhequr… Kishte mbaruar. Kishte ‘super’ brenda. Ata dëshironin të ishin superiorë ndaj gjithçkaje; kampionateve, Champions League, futbollit. Çfarë ideje…”, – kujton Rumenige.

Themeluesit e Superligës ishin përpjekur gjithashtu të përfshinin Bajernin e Mynihut në projekt: “Ata nuk erdhën tek unë, u përpoqën me Oliver Kahn, pasardhësin tim të caktuar në atë kohë. Unë, Uli Hënes dhe presidenti Hainer thamë njëzëri: Asnjëherë! Ne duam të fitojmë, por sipas rregullave. Kështu mendonte edhe PSG”.

Rumenige nuk shpjegon në mënyrë të veçantë rolin e luajtur nga Andrea Anjeli, një nga menaxherët më me ndikim në futbollin evropian në atë kohë: “Unë nuk kam qenë në gjendje të flas me Andrean që nga e diela kur ai fiku celularin. Kishte thashetheme, nuk po vinte në Montro dhe nuk u përgjigj.

Mendoj se nuk kishte guxim të thoshte se çfarë po bënte. E kuptoj që Covid-19 i detyroi klubet të shpejtonin, dikush donte para të reja, por ky lloj prezantimi nuk ishte profesional. Nuk e kuptoj dhe më vjen njerëzisht keq. Anjeli ishte president i ECA, ishte në ekzekutivin e UEFA-s, ishte president i një skuadre si Juventusi, ndër top-5 klubet. Andrea humbi gjithçka, edhe imazhin e tij. Kemi kaluar mirë, por, kur i thashë se futbolli nuk është vetëm ekonomi, ai nuk mendonte si unë”.

Rumenige shpjegon arsyet pse është kundër Superligës: “Seria A do të bëhej Seria B dhe Bundesliga si divizioni i dytë. Pra, kampionate të dobët. Dhe a e dini pse e gjitha kjo? Për të dëmtuar Premier Ligën që fiton më shumë, thjesht sepse është më e mira. Sidomos skuadrat spanjolle donin ta dëmtonin atë dhe shpikën këtë projekt, i vetmi që do të vlente.

UEFA ofron turneun më të mirë të mundshëm, Liga e re e Kampionëve me 36 ekipe do të jetë edhe më spektakolare dhe e hapur. A keni parë festimet e Kopenhagenit për kualifikimin në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve? A duhet të fitojnë gjithmonë të zakonshmit? Jo në futboll, ky sport ka në bazë të pamendueshmen, emocionin. Nuk ka matematikën. Modeli amerikan? Merita mbizotëron tek ne. Po je i mirë, fiton”.

 

karl heinz rumenige superliga e europës

Lini një Përgjigje