
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani u ndal te dështimi i Kombëtares dhe rrëzimi në Ligën C në Ligën e Kombeve.
Në një intervistë për “Report TV, ai ceku faktin se sukseset e Kombëtares nuk lidhen me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Sipas tij organizmi i futbollit në vend ka dështuar, ndërsa Silvinjo i ka dhënë provat që është trajner i mirë.
Për dënimin nga UEFA me humbje 3-0 të Kosovës kundër Rumanisë, ai tha se “dardanët” bënë një veprim të guximshëm dhe fituan diçka më shumë, pasi kishte ardhur koha të thuhej "mjaft" për ofendimet kundër shqiptarëve në stadiumet e Evropës.
Humbja me Ukrainën - Dy trajnerë në një mendje nuk gjen, rezultati tregon që ne nuk i marrim maksimumin ekipit. Sukseset e Kombëtares nuk lidhen me presidentin e Federatës. Herën e parë shkuam në “EURO 2024” falë tij, por këtë radhë pse nuk kaluam?
Çekia, Ukraina dhe Gjeorgjia kanë bërë një lojë të jashtëzakonshme. Rezultati tregon që nuk marrim maksimunin nga ekipi, Silvinjo i ka dhënë provat që është trajner i mirë.
Përgjegjësitë kalojnë te Federata. Federata luan vetëm rol negativ për Kombëtaren. Kishim U-19 që u mposht 6-0 nga Izraeli në shtëpi. Kjo tregon që në FSHF bëhet një punë e dobët.
Vendet që kanë suksese janë bazuar te projektet e studiuara. Shikoni Gjeorgjinë që nëpërmjet trajnerëve kanë zbatuar strategji dhe të vjelin rezultatet. Te ne, çfarë 'kërcuri na sjell lumi', e marrim.
De Biazi krijoi një grup, më pas trajnerët e tjerë e nisën nga fillimi punën. Askush nuk e di, që nëse ikën Silvinjo dhe vjen tjetër, se çfarë strategji do kemi.
Botërori - Ne kemi ekip jo të keq, jemi në nivel të mesëm në Evropë, kemi qenë i dobët. Mund të bëjmë surpriza. Kemi edhe shanse për shkak të formulës.
Humbja në tavolinë e Kosovës - Ishte automatik si vendim, edhe shqiptarët të ishin në komision, ndeshja nuk lihet në mënyrë të njëanëshme. Ky është një test për UEFA, sepse UEFA është fajtore, pasi arbitri qendroi një orë të bindte lojtarët të ktheheshin. Për vetë mënyrën e punës që bën, UEFA është fajtore.
Vendimi është i zgjuar, jep hapësira të vogla për bujë. Kosova edhe mund të përjashtohej. Kosova dhe Shqipëria në këtë rast janë viktima, por UEFA ka marrë një vendim që të shuajë zjarrin pasi gjobit edhe Rumaninë.
Kosova duhet ta braktiste ndeshjen, sepse UEFA po ule kokën të vë litarin. Në korridoret e UEFA-s nuk ka njerëz me mendime të mira për shqiptarët. Nuk mund të miratosh braktisjen e ndeshjes, por si shqiptar duhet bërë një gjest për të thënë "mjaft". Fituam më shumë me këtë veprim, thamë mjaft. UEFA ka gabuar, duhet të pengojë këto gjëra dhe jo të dënojë, kanë shanse, mjete dhe njerëz që këto mos ndodhin.
Rrahmani veproi mirë, i tha arbitrit për thirrjet raciste. Të njoftohej ndalimi i sharjeve dhe nëse vijonte të ndërpritej ndeshja", tha Eduard Prodani.
Lini një Përgjigje