
Kohës së Horge Vildës në krye të ekipit të femrave, i vjen fundi. Federata Spanjole (RFEF) i ka komunikuar këtë të martë trajnerit të deritanishëm dhe drejtorit teknik të futbollit të femrave në RFEF, shkarkimin e tij nga të dyja detyrat në kaskadën e reagimeve që ka “çështja Rubiales”. Ka qenë ushtruesi i detyrës së presidentit, Pedro Roça, ai që i ka njoftuar teknikut vendimin e subjektit, në një takim të zhvilluar mes të dyve mëngjesin e së martës në selinë e federatës.
42-vjeçari nga Madridi përfundon kështu tetë vitet në krye të kombëtares së femrave, ku në vitin 2015 zëvendësoi Injacio Kuereda pas periudhave të tij në krye të U-17 dhe U-19. Dhe këtë e bën vetëm pak javë, pasi fitoi titullin më të rëndësishëm në historinë e futbollit spanjoll për femra: Kupën e Botës të zhvilluar në Australi dhe Zelandën e Re.
Pavarësisht ofertës së rinovimit të bërë nga Luis Rubiales të premten e kaluar, më 25 gusht (katër sezone me një normë prej gjysmë milioni euro në vit), bordi aktual i RFEF-së i kryesuar nga Pedro Roça, e njoftoi madrilenin për ndërprerjen e marrëdhënieve me Federatën Spanjolle. Drejtuesit e futbolit spanjoll nuk e kanë fshehur deshirën e tyre për zëvendësimin e tij me një trajnere femër.
Polemikat që kanë rrethuar trajnerin vitin e fundit, si dhe duartrokitjet për Luis Rubiales gjatë fjalimit të tij në Kuvend (pavarësisht se disa orë më pas përfundoi duke u shfaqur kundër ish-presidentit), kanë përshpejtuar vendimin.
Vilda i përket të shkuarës, trajneri i tretë që ka pasur skuadra spanjolle në historinë e saj 32-vjeçare. Njeriu nga Madridi (2015-2023) mori drejtimin nga Injacio Kuereda (1988-2015), i cili nga ana e tij e bëri këtë në kohën e tij nga Teodoro Nieto (1981-1988).
Në tetë vitet e tij si trajner, ai ka drejtuar gjithsej 108 ndeshje zyrtare me një bilanc prej 75 fitoresh, 16 barazime dhe 17 humbje, si dhe 310 gola pro dhe 58 kundër, duke arritur një Botëror (2023), si dhe një Kupë Algarve (2017) dhe një Kupë Qipro (2018) - turne jo zyrtar.
Lini një Përgjigje