
Kanë mbetur diçka më shumë se 24 orë përpara ndeshjes së rëndësishme kualifikuese të “EURO 2024” mes Shqipërisë dhe Çekisë. “Air Albania” do jetë i tejmbushur me tifozë, me lojtarin e 12 që do luajë ndeshjen e vet në tribuna.
Një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares, Jasir Asani ka dhënë një intervistë në Çeki për “iDNES Premium”. “Prisni ferrin. Në stadium dhe në rrugë. Tashmë në vendin tonë ka eufori për këtë ndeshje. Ju kujtohet barazimi i 1-1 me Çekinë në sfidën e parë? Po, por këtë herë ne po luajmë në shtëpi, ne duam të fitojmë”.
Për këtë takim, Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e ndeshjes, pasi siç thuhet në njoftim, disa rrugë të kryeqytetit do të jenë të bllokuara.
Gjithashtu nuk mungon edhe një paralajmërim për këdo që mendon të thyejë rregullat. Veprimet e dhunshme, para, përgjatë dhe pas aktivitetit futbollistik, mund të ndëshkohen me gjobë ose shoqërim në polici të tifozëve.
Gabimet e fundit nga tifozët kuqezi kanë zgjuar edhe UEFA-n, me këta të fundit që do jenë në monitorim të çdo lloj situate. Lojtari i 12 i joni është në provim në “Air Albania, teksa çdo gabim në tribuna mund të kushtojë përjashtimin e tifozëve deri në 2 vjet nga stadiumi.
Lini një Përgjigje