
Java e 12 e Abissnet Superiore ka ulur siparin me 2 ndeshjet e fundit. Partizani ka "pësuar infarkt" në minuat e fundit të ndeshjes, teksa ndeshja e luajtur në "Arenën e Demave" është mbyllur në barazim 1-1.
Të kuqtë kaluan në avantazh që në minutën e 9 të takimit. Zeka dha një pasim në të majtën për Carën, i cili depërtoi vetë në zonë dhe me një diagonale mposhti portierin Tafas.
Kur mendohej se "Demat" do të merrnin 3 pikët në kasafortë, durrsakët barazuan ndeshjen në minutën e 90+5. Lloci barazoi rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë.
Me këtë barazim, Partizani ndodhet në vendin e parë me 21 pikë po aq sa Vllaznia, ndërsa Teuta mban vendin e 6 me 16 pikë, po aq sa Elbasani.
Në ndeshjen tjetër, Dinamo ka triumfuar me “manita” 0-5 në transfertë përballë Elbasanit. Të besuarit e Ilir Dajës zhbllokuan ndeshjen në minutën e 23. Bregu nxori një top të mirë, por Zabërgja nuk fali dhe tundi rrjetën e Abalorës.
8 minuta më vonë, kryeqytetasit dyfishuan shifrat me Meksin, i cili gjuajti nga jashtë zonës.
Në minutën e 34, “tigrat verdheblu” e panë veten në disavantazh të trefishtë. Zabërgja realizoi dopietë.
Në minutën e 56, erdhi edhe goli i katërt për Dinamon. Bregu gjuajti me të djathtën dhe shtangu Abalorën.
Në minutën e 77, ekipi i Ilir Dajës nuk u kënaq me kaq dhe realizoi edhe golin e pestë. Me të djathtën nga jashtë zonës, Bregu gjeti golin e dytë personal në këtë sfidë.
Sikur të mos mjaftonte kjo humbje kaq e thellë, Elbasani e bën dramë në minutat e fundit. Hila mori kartonin e dytë të verdhë dhe u larguanga fusha me kartonin e kuq.
Me këtë fitore, Dinamo renditet në vendin e 3 me 20 pikë, ndërsa Elbasani mban vendin e 5 me 16 pikë.
Kujtojmë se sot në orën 14:00 u luajt ndeshja me Bylisit dhe Laçit, e cila u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ditën e djeshme u luajtën ndeshjet e para të javës së 12, ku Egnatia mposhti minimalisht Tiranën, ndërsa Vllaznia mundi në shtëpi Skënderbeun me rezultatin e pastër 2-0.
Rezultatet e javës së 12 të Abissnet Superiore:
1-Elbasani-Dinamo 0-5
2-Partizani-Teuta 1-0
3-Bylis-Laçi 0-0
4-Egnatia-Tirana 1-0
5-Vllaznia-Skënderbeu 2-0
Lini një Përgjigje