
Pas humbjes 0-3 në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, tashmë Kosova është gati për të bërë kthesën ndaj Qipros në raundin e dytë të Ligës së Kombeve. Sfida që “Dardanët” do të luajnë në transfertë, do të zhvillohet ditën e hënë në mbrëmje kundër Qipros. Në prag të kësaj ndeshjeje, ka folur dhe trajneri i Kosovës, Franko Foda.
“Pas ndeshjes së parë dhe humbjes bindëse 3-0 ndaj Rumanisë në shtëpi, kemi bërë një analizë të shkurtër të asaj përballjeje. Megjithatë, më pas jemi fokusuar në ndeshjen që do të zhvillojmë nesër kundër Qipros.
Kemi analizuar ndeshjet e fundit të Qipros, duke përfshirë edhe ndeshjen e fundit ndaj Lituanisë, të cilën e kanë fituar. Është një ekip i fortë, individualisht kanë disa futbollistë mjaft të mirë.
Sonte në mbrëmje do të shfaqim për futbollistët tanë analizën që kemi përgatitur për lojën e Qipros, duke theksuar pikat e forta dhe të dobëta të tyre, dhe do të shohim se çfarë do të na sjellë ndeshja”, tha trajneri Foda.
Lini një Përgjigje