
Piloti australian Oskar Piastri siguroi “pole position” në pistën e Imola, i vlefshëm për Çmimin e Madh të Emilia Romanja (Itali). Kryesuesi i botërorit dha kohën 1’14”670, duke siguruar këtë rezultat në tentativën e fundit.
Piastri ishte më i shpejti në një pistë ku është e vështirë të parakalohet, ndaj konsiderohet favorit për garën. Ai do të ndajë vijën e parë të startit me kampionin e botës Maks Vershtapen, i dyti me Red Bull, që shpreson në startin e garës nesër.
Në vendin e tretë u rendit makina Mercedes e britanikut Xhorxh Rasëll, që la pas patriotin e tij Lando Norris me MekLaren (i katërti). Në “top-10” edhe Fernando Alonso, Karlos Sainz, Alexander Albon, Lans Stroll, Isak Hadjar dhe Pier Gasli.
Zhgënjim total për makinën Ferrari, jashtë 10 më të mirëve me të dy pilotët e tij. Sharls Lëklerk u rendit i 11, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Luis Hamilton. “Kokëkuqja” dështoi para fansave të saj.
Në pistën e shtëpisë zhgënjeu edhe Kimi Antoneli me makinën tjetër Mercedes, që u rendit i 12. Provat e sotme u karakterizuan nga dy aksidente në sesionin e parë, që sollën edhe valëvitjen e flamurit të kuq.
Lini një Përgjigje