Ylber Ramadnai u ndal te humbja ndaj Izraelit, duke theksuar se skuadra kishte hyrë në fushë me një qasje sulmuese dhe kishte zhvilluar një pjesë të parë të mirë, por në fraksionin e dytë të lojës pati vështirësi në organizim.
“Ne e kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur ndeshje ofensive, për të sulmuar më shumë kundërshtarin dhe mendoj që një pjesë të lojës, pjesën e parë e bëmë shumë mirë. Pastaj në pjesën e dytë ishim pak më larg njëri-tjetrit dhe e bënë golin. Por trajneri na tha pas ndeshjes që kjo më shërben mua për ndeshjet e ardhshme, për të parë se çfarë mungon dhe më pas do t’i praktikojmë edhe gjërat e tjera në ndeshje”, u shpreh Ramadani.
Duke folur për gjendjen e ekipit, ai vlerësoi atmosferën pozitive që mbizotëron në grumbullim, duke e konsideruar atë një nga faktorët kryesorë të suksesit të Kombëtares.
“Atmosfera është fantastike. Siç e shihni, jemi të gjithë bashkë dhe jemi me njëri-tjetrin. Është një atmosferë që unë gjithmonë mezi pres të vij ta përjetoj, sepse kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo energji pozitive na ka çuar gjithmonë përpara dhe mendoj që ndeshjen tjetër do ta fitojmë”, deklaroi ai.
Ramadani theksoi se skuadra po punon maksimalisht për të mbyllur me rezultat pozitiv këtë periudhë, ndërsa vuri në dukje rëndësinë e dy ndeshjeve miqësore në funksion të përgatitjeve për angazhimet zyrtare të shtatorit.
“Po përgatitemi maksimalisht sepse duam ta fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në pushime me kokën e qetë. Këto dy ndeshje na shërbejnë shumë, sepse duhet të praktikojmë lojën që na kërkon trajneri, në mënyrë që të vijmë në shtator me idetë e qarta për ndeshjet që na presin”, tha mesfushori kuqezi.
Në fund, Ramadani pati edhe një mesazh për tifozët shqiptarë, duke nënvizuar rolin e tyre të rëndësishëm në mbështetjen e ekipit kombëtar.
“Unë e them gjithmonë që tifozët janë forca jonë dhe pa ta nuk mund t’i arrijmë objektivat që kemi. U bëj thirrje të vijnë sa më shumë dhe të na përkrahin, pavarësisht se kush luan apo jo në formacion. Edhe ne lojtarët nuk e vëmë kurrë në diskutim kur na thërret Kombëtarja. Gjithmonë kemi qenë larg familjes dhe angazhimeve tona për të dhënë maksimumin. Shpresoj që të vijnë të na mbështesin dhe të jemi të gjithë së bashku”, përfundoi Ramadani.
Lini një Përgjigje