Qyteti i Meksikos është përfshirë sërish nga protesta masive, vetëm një javë përpara nisjes së Kampionatit Botëror të Futbollit. Mësues dhe gjykatës në pension dolën në rrugë, duke bllokuar akset kryesore të qarkullimit dhe disa kantiere, çka shkaktoi probleme të mëdha në lëvizjen e qytetarëve.
Protestat, të cilat nisën prej disa ditësh, kanë sjellë vonesa të konsiderueshme në trafik dhe devijime të shumta të qarkullimit, duke prekur miliona banorë të kryeqytetit meksikan.
Vëmendja është përqendruar te Qyteti i Meksikos edhe për faktin se më 11 qershor aty do të zhvillohet ndeshja hapëse e Kupës së Botës mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut. Duke përfituar nga ekspozimi ndërkombëtar që sjell turneu, sindikatat e mësuesve dhe grupe të tjera të punonjësve organizuan marshime dhe bllokuan rrugët kryesore të qytetit.
Përfaqësuesit e protestuesve deklaruan se mobilizimet e tyre nuk kanë lidhje me Botërorin, por paralajmëruan se veprimet mund të intensifikohen nëse presidentja Klaudia Sheinbaum nuk merr parasysh kërkesat e tyre.
Në qendër të pakënaqësive është kërkesa e sindikatës së mësuesve për shfuqizimin e ligjit të vitit 2007, i cili reformoi sistemin e pensioneve për punonjësit e sektorit publik. Sipas tyre, qeveria duhet të mbajë premtimin elektoral për ndryshimin e këtij ligji, si dhe të miratojë rritje pagash për mësuesit.
Sindikatat paralajmërojnë se, nëse nuk arrihet një marrëveshje me autoritetet, nuk përjashtohet organizimi i protestave të reja edhe gjatë zhvillimit të ndeshjes hapëse të Kampionatit Botëror.
Lini një Përgjigje