TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Mars 2026, 16:26

Derbi i Milanos ndez “San Siron”; precedentët, kuriozitetet dhe shansi i fundit i Alegrit për titullin kampion

Shkruar nga Pamfleti

Derbi i Milanos ndez “San Siron”; precedentët, kuriozitetet dhe

Ethet e derbit të Milanos kanë arritur kulmin. Të dielën në mbrëmje, Milani dhe Interi do të përballen në stadiumin “San Siro”, në një ndeshje që pritet të zhvillohet përpara një stadiumi të mbushur plot. Interesi i tifozëve është maksimal dhe klubi i Milanit pritet të regjistrojë një rekord të ardhurash për një ndeshje shtëpie në Serinë A.

Situata tek Interi

Në kampin zikaltër vëmendja është e përqendruar te Hakan Çalhanoglu, i cili synon të jetë protagonist pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij. Mesfushori turk është rikthyer së fundmi pas një dëmtimi dhe trajneri Kristian Kivu ende po vlerëson nëse do ta aktivizojë nga minuta e parë.

Në mungesë të Lautaro Martinez, shiritin e kapitenit pritet ta mbajë mesfushori Nikolo Barela.

Problemet e Milanit në mbrojtje

Nga ana tjetër, Milani i drejtuar nga Masimiliano Alegri përballet me disa mungesa në repartin e mbrojtjes, për shkak të dëmtimit të Mateo Gabias. Para portierit Majk Menjo pritet të rreshtohet treshja Fikajo Tomori, Koni De Uinter dhe Strahinja Pavloviç.

Në repartin ofensiv, shpresat e kuqezinjve mbështeten te dyshja Rafael Leao dhe Kristian Pulisiç, të cilët pritet të udhëheqin sulmin në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit.

Derbi që mund të ndikojë në garën për titull

Përballja e radhës mes dy rivalëve të qytetit mund të ketë ndikim të madh në garën për titull në Serinë A. Aktualisht diferenca mes skuadrave është 10 pikë. Milani synon vetëm fitoren për të mbajtur gjallë shpresat për titull, ndërsa çdo rezultat tjetër do ta afronte ndjeshëm Interin drejt skudetos së 21-të.

Sipas statistikave, derbi i fazës së parë ishte edhe i fundit ku Interi festoi në fund të ndeshjes. Që nga ajo përballje, Milani ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime ndaj rivalëve të qytetit. “Djalli” ka fituar edhe dy derbet e fundit, ndërsa tri fitore radhazi ndaj Interit nuk i ka arritur që nga sezoni 2010-2011.

Forma e skuadrave

Interi mbetet në një formë të shkëlqyer në kampionat, duke qenë i pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit, me 14 fitore dhe një barazim. Kjo seri kishte nisur pikërisht pas derbit të fazës së parë, të luajtur më 23 nëntor, të cilin Milani e fitoi 1-0 falë golit të Kristian Pulisiç.

Skuadra e drejtuar nga Kivu ka shënuar 64 gola në kampionat dhe ka regjistruar 15 ndeshje pa pësuar gol. Nga ana tjetër, Milani ka treguar forcë karakteri gjatë sezonit, duke marrë 14 pikë nga ndeshje ku ka qenë në disavantazh.

Në këtë përballje, Interi pret shumë nga Federiko Dimarko, ndërsa Alegri mbështetet te kreativiteti dhe shpejtësia e Rafael Leaos për të bërë diferencën.

 

milan inter derbi i madoninës

Lini një Përgjigje