
Anis Mehmeti është sërish në listën e Kombëtares, pasi paraqitjet e bëra me Bristol Sitin e kanë bindur stafin teknik. Talenti 22-vjeçar i lindur në Londër, ka folur për “FSHF” në lidhje me debutimin e tij me kuqezinjtë si edhe me emocionet që i ka përcjellë fanela e Shqipërisë.
“Ky ka qenë një vit shumë special për mua, e nisa sezonin me Ykombem duke qenë në formë shumë të mirë, më pas erdhi transferimi te Bristol Siti në janar dhe në muajin mars debutimi me Kombëtaren shqiptare në ndeshjen ndaj Polonisë. Të luajë me fanelën kuqezi ka qenë ëndërr për mua dhe për familjen time. Ka akoma shumë për t’u përmirësuar, sigurisht që kam pasur shumë emocione, ishte një ditë shumë speciale për mua. Jam ndjerë shumë mirë për debutimin në Kombëtare, ashtu si edhe familja ime që ishte shumë e lumtur.
Kemi përpara dy ndeshje për kualifikueset e Europianit, do të luajmë me objektivin për të fituar të dyja ndeshjet, do të luajmë patjetër me shumë dëshirë dhe agresivitet të dyja këto sfida. Debutimin e parë në transfertë ndaj Polonisë, tani debutimin e vërtetë e kam ndaj Moldavisë përballë tifozëve kuqezi”, tha Mehmeti.
Lini një Përgjigje