
Rrjetet sociale nuk falin. FIFA publikoi disa postera promocionalë për Kupën e Botës së verës së ardhshme. Midis tyre ishte edhe ai që përfaqësonte kombëtaret e kualifikuara dhe lojtarët e tyre simbol. Mesi, Mbape dhe Haland ishin në plan të parë, por harrimi i Kristiano Ronaldos nuk u prit aspak mirë. Sidomos jo nga miliona tifozë të yllit portugez në mbarë botën.
Në poster ishin të gjithë…, përveç CR7. Në versionin e parë të publikuar nga FIFA, për vendet tashmë të kualifikuara ishin zgjedhur lojtarët kryesorë: Mesi për Argjentinën, Mbape për Francën, Herri Kejn për Anglinë, Haland për Norvegjinë, por jo Ronaldo. Në vend të tij, FIFA kishte vendosur Bruno Fernandes, mesfushorin e Mançester Junajtid dhe një nga liderët e Portugalisë. Një zgjedhje që nuk u pëlqeu aspak fansave, duke pasur parasysh peshën globale të Ronaldos.
Rezultati? Një “stuhi” komentesh në rrjetet sociale, shpërthime ironie dhe akuza ndaj FIFA-s. Administratori i faqes u detyrua ta hiqte posterin dhe të publikonte një version të ri, këtë herë me Kristiano Ronaldon në sfond, me një pozë krenare, duke treguar me gisht drejt horizontit, ashtu si kur feston para tribunave.
Në plan të parë, megjithatë, qendrojnë ende kampionët e botës: fytyra e Mesit, pritja ikonike e Dibu Martinez ndaj Kolo Muani dhe penalltia vendimtare e Montiel në finalen e vitit 2022. Ndërkohë, duel i ri ka nisur në rrjete: ai mes tifozëve argjentinas dhe portugezë, mes fansave të “Pleshtit” dhe atyre të CR7. Konflikti sapo ka filluar…
Lini një Përgjigje