
Vitrina e futbollit evropian, Champions League zhvilloi ndeshjet e para në fazën e 1/8. Spektakël dhe surpriza në fushë, aty ku padyshim spikatën edhe portierët. Roli më me peshë në një ekip, presioni dhe përgjegjësia i delegohen "gardianëve" që me paraqitjet e tyre mund ta fitojnë apo humbasin një duel.
Mbrëmja e së mërkurës tregoi se jo më kot skuadrat kanë trajner portierësh, kujdes të veçantë për atë rol dhe një vëmendje të shtuar për katërkëndëshin. Në tre nga katër ndeshjet e mbrëmjes së djeshme (5 mars), portierët ishin më të mirët e sfidave, duke pritur gjithçka që iu nis drejt portave.
Fejnord 0-2 Inter
Zikaltërit hodhën një hap me peshë për kalimin në çerekfinale, ndërsa në Holandë më i miri në fushë ishte Josep Martinez, gardiani spanjoll i Interit. Mungesa e Somer për shkak lëndimi i tregoi Inzagit se mund të besojë te Martinez dhe duket se zvicerani do e ketë të vështirë në rikthim, pasi spanjolli ka "çimentuar" katërkëndëshin. Nota 8.3 nga 'SofaScore' është mëse e merituar. Në pesë ndeshjet e tij me Interin, Martinez e ka mbajtur portën në katër raste të paprekur dhe goli i vetëm i pësuar erdhi pas një superpritjeje të tij, ku në rastin e dytë nuk kishte shanse ta kapte.
Benfika 0-1 Barcelona
Barcelona fitoi në Portugali falë paraqitjes vendimtare të Vojshe Shezni. Nëse portieri polak nuk do bënte tetë pritje decizive, goli i Rafinjës nuk do kishte vlerë. Shezni "vari dorezat në gozhdë" gjatë verës së vitit 2024, pasi mbylli marrëveshjen me Juventusin dhe një dëmtim i Ter Shtegen bëri që Barça t'i besonte kontratën 1-vjeçare. Tashmë Shezni bëhet hero dhe vlerësohet me notën 9.5 nga 'SofaScore'.
PSG 0-1 Liverpul
Fenomenale. Kështu mund të përshkruhet paraqitja e Alison Beker për Liverpulin në fitoren kundër PSG-së në Paris. Nëntë pritje, "Njeriu i Ndeshjes" dhe paraqitja më e mirë e karrierës së tij. Braziliani ishte si "njeriu merimangë" që kishte 'thurur rrjetën' për mos kaluar topi.
Lini një Përgjigje