
Vllaznia ka mposhtur Bylisin me rezultatin 0-1 në stadiumin “Adush Muçaj” të Ballshit. Protagonistët kryesorë ishin gjyqtari Daniel Vrapi dhe Adrian Beqiraj në VAR, që ndërhynë tri herë për të vendosur fatet e takimit.
VAR-i ishte protagonist që në fillim, kur Jago i Vllaznisë tundi rrjetën në minutën e gjashtë. Teknologjia ndërhyri, ndërsa u akordua pozicion jashtë loje për Balajn.
Emocionet e vërteta ishin ruajtur për në pjesën e dytë. Fillimisht gjyqtari Vrapi akordoi penallti në favor të Bylisit, për ndërhyrje të parregullt nga Gurishta në zonë. Gjyqtari Beqiraj në VAR e thërriti për të ndryshuar vendimin.
Më pas Peralta me autogolin e tij i dha avantazhin Vllaznisë. Mustafa në frymën e fundit riktheu baraspeshën, por VAR ndërhyri për herë të tretë, duke thërritur gjyqtarin Vrapi që kishte lejuar avantazhin. Ky i fundit ndryshoi vendimin e fushës dhe i anuloi golin Bylisit të Mirel Josës.
Vllaznia e Edi Martinit merr 3 pikë të arta në transfertën e Bylisit. Kuqebluve i mungonte prej muajsh fitorja në transfertë.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në krye të klasifikimit me 16 pikë të grumbulluara. Në krahun tjetër, me 6 pikë pas 7 ndeshjesh, Bylisi mban vendin e 7.
Lini një Përgjigje