
FIFA pritet të miratojë së shpejti dy rregulla të reja disiplinore që mund të hyjnë në fuqi që nga Kupa e Botës e kësaj vere. Ndryshimet synojnë të adresojnë sjelljet e papërshtatshme në fushë dhe të rrisin respektin ndaj arbitrave.
Sipas njoftimit, lojtarët që komunikojnë duke mbuluar gojën gjatë ndeshjes do të ndëshkohen me karton të kuq. Kjo masë synon të parandalojë përdorimin e gjuhës fyese, përfshirë shprehje raciste apo homofobike, të cilat shpesh mbeten të paprovuara për shkak të këtij gjesti.
Një tjetër rregull i propozuar parashikon përjashtimin me karton të kuq të çdo lojtari që largohet nga fusha pa lejen e gjyqtarit. Kjo shihet si një përpjekje për të forcuar autoritetin e arbitrave, vendimet e të cilëve kanë qenë gjithnjë e më shpesh objekt kundërshtimi në vitet e fundit.
“Do të dënohet me karton të kuq çdo futbollist që braktis fushën e lojës në shenjë proteste ndaj një vendimi të arbitrit. Kjo normë do të aplikohet edhe për çdo anëtar të stafit teknik që nxit futbollistët të braktisin fushën e lojës”-thotë normativa e re e miratuar nga IFAB.
FIFA argumenton se këto masa do të ndihmojnë në reduktimin e protestave të ekzagjeruara dhe shpërthimeve emocionale, të cilat ndikojnë negativisht në imazhin e lojës.
Rregullat e reja pritet të shqyrtohen për miratim nga Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB), organi i vetëm i autorizuar për ndryshimin e ligjeve të lojës. Vendimi final pritet të merret në kongresin e ardhshëm të FIFA-s, i cili do të mbahet javën e ardhshme.
Lini një Përgjigje