
Një tjetër talent nga Dardania i bashkohet Kombëtares shqiptare. Arbnor Muja zgjodhi të përfaqësojë ngjyrat kuqezi dhe së fundmi u pajis me pasaportën e vendit tonë.
24-vjeçari i lindur në Mitrovicë do të jetë afrimi më i ri i trajnerit Silvinjo, për dy sfidat kualifikuese, më 7 shtator kundër Republikës Çeke dhe më 10 shtator përballë Polonisë.
Prapaskenat- Fillimisht ka qenë ndihmësi i Silvinjos, Pablo Zabaleta, ai që ka shkuar dhe ka takuar nga afër Arbnor Mujën dhe e ka bindur që të kalojë te Kombëtarja shqiptare. Paraqitjet e mira në Belgjikë, ku brenda një sezoni ai fitoi titullin kampion, Kupën dhe Superkupën me Antverpin, rritën më shumë shanset që Silvinjo të gjejë një vend për të. Edhe pse dëshira ishte që Muja të vinte që në ndeshjet e qershorit, pengesë u bë pasaporta shqiptare, të cilën lojtari i lindur në Mitrovicë nuk e kishte.
Ndërkohë, mësohet se ditën e martë ai ndodhej në Shqipëri dhe ka aplikuar për marrjen e nënshtetësisë, teksa menjëherë është kthyer në Belgjikë për të vijuar përgatitjet me klubin e tij Antverpenit, pasi përpara ka “play off”–in e Ligës së Kampioneve. Kështu që kjo problematikë u kalua dhe sulmuesi do të jetë gati për Shqipërinë në muajin shtator dhe nuk do të ketë asnjë pengesë tjetër. Më parë ai është thirrur nga Kosova në muajin mars, por nuk ka debutuar me ekipin e parë dhe në karrierën e tij numëron 6 ndeshje me Kosovën U-21. Ndërkohë, Arbnor Muja, para se të transferohej në kampionatin belg, luante për Dritën në Kosovë, ku shkëlqeu në ndeshjet kualifikuese të Europa League. Sakaq, sulmuesi i djathtë ka qenë edhe pjesë e Skënderbeut në Superiore, ku me korçarët ka luajtur vetëm 11 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola. Në shtator do të nisë një kapitull të ri, atë me fanelën kuqezi.
Arbnor Muja është një prej lojtarëve më në formë të momentit nga trojet shqiptare. Në vitin 2022 ai u transferua te Antuerpen në elitën e futbollit belg dhe në harkun e një sezoni fitoi gjithçka.
Pas titullit kampion në Belgjikë, ekipi i tij fitoi edhe Kupën dhe Superkupën. Muja ishte gjithmonë protagonist në fushë, në aktivizimin si sulmues krahu, ku në 27 ndeshje të luajtura në kampionat shënoi edhe tre gola.
Katër muaj më parë, lojtari i talentuar u grumbullua për herë të parë me përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe atij nuk iu dha asnjëherë shansi nga ish-trajneri Alen Zhires.
Fakti që nuk ka luajtur asnjë ndeshje me “Dardanët” e bëri edhe më të thjeshtë zgjedhjen e Arbnor Mujës për të luajtur me Shqipërinë, por ndihmoi edhe në procedurën me FIFA-n, rreth rregullave të përfaqësimit të futbollistëve.
Lini një Përgjigje