
Anis Mehmetit i është dashur shumë pak kohë që të gjejë golin e tij të parë me fanelën e Ipsuiçit, skuadër së cilës iu bashkua gjatë merkatos së dimrit.
Futbollisti shqiptar, si zakonisht titullar në radhët e klubit të ri, ka lënë shenjën e tij në ndeshjen në transfertë ndaj Reksam, duke shënuar në minutën e 20 të sfidës golin e barazimit. Ai u tregua i aftë të gjendej në vendin e duhur, në momentin e duhur, për të shtyrë sferën në rrjetë e për të barazuar shifrat.
Një gol me rëndësi të madhe, pasi vinte ndaj një ekipi i cili është rival në zonën “play-off” të Championship dhe shihet si një prej atyre me pretendime të mëdha për t’u ngjitur më Premier Ligë pasi sponsorizohet nga dy yjet e Hollivudit, Rajan Rejnolds dhe Rob MekEleni.
Ky ishte goli i 9 në këtë kampionat për Mehmetin, i cili ka shënuar 8 të tjerët me fanellën e Bristol në fazën e parë të turneut.
Lini një Përgjigje