
Raul Asencio, 22-vjeçari i Real Madridit, rrezikon një dënim me burg deri në 2.5 vite, ndërsa po gjykohet për shkelje të privatësisë dhe përfshirje në shpërndarje të materialeve me përmbajtje të ndjeshme.
Prokuroria publike ka kërkuar dënimin e mbrojtësit të Los Blancos me 30 muaj burg, ndërsa procesi vijon në gjykatë.
Asencio është një nga katër ish-lojtarët e akademisë së Real Madridit të akuzuar në një rast që lidhet me marrëdhënie seksuale me dy vajza të mitura (16 dhe 18 vjeç), të cilat, sipas dosjes gjyqësore, janë filmuar pa pëlqimin e tyre nga Ferran Ruiz, Juan Rodriguez dhe Andres Garcia. Më pas, videoja dyshohet se është shpërndarë edhe te persona të tretë.
Ndërsa për Ruizin, Rodriguezin dhe Garcian Prokuroria ka ngritur akuza edhe për shpërndarje të pornografisë së të miturve, për Asencion nuk është përfshirë kjo vepër penale, por ai akuzohet për shkelje të intimitetit, pasi thuhet se ka kërkuar videon për t’ia treguar një miku dhe më pas e ka fshirë menjëherë.
Nga ana tjetër, paditësit kërkojnë një dënim më të ashpër për Asencion, deri në 4 vite burg, dhe kanë përfshirë në akuzat ndaj tij edhe shpërndarjen e materialit pornografik.
Mediat spanjolle raportojnë se mund të ketë pasur një marrëveshje mes Asencios dhe viktimave, por deri tani kjo mbetet e pakonfirmuar.
Lini një Përgjigje