
Ndonëse me pushime verore, tashmë kanë nisur diskutimet mbi sezonin e ardhshëm televiziv.
Ndryshime të mëdha duket se do të ketë në shumë sektorë, ku personazhet do të ndryshojnë logo dhe formatin e programeve që kanë bërë deri më tani.
Kujtojmë se këtë vit “Big Brother VIP Kosova” realizon sezonin e tretë dhe një emër tjetër që lidhet me të është ai i Arbana Osmanit, që mesa duket as këtë vit nuk do të iki në Kosovë. Vetë Arbana pak ditë më parë konfirmoi se së bashku me partnerin e saj, Eduart Grishajn do të ishin pjesë e një programi. Moderatorja preferoi të mos jepte detaje as për emisionin që do të drejtojë dhe as se në cilin kanal do të shfaqet.
Flitet se moderatorja do të rikthehet në ekranin e “Top Channel”, për të bërë sërish formatin e dashur për publikun “Dua të të bëj të lumtur”. Megjithatë, një fakt i tillë ende nuk është konfirmuar.
Nga ana tjetër edhe “Përputhen”, flitet se do të bëhet këtë sezon me dy moderatore, ku veç Megit, një tjetër vajzë do t’i bashkohet.
Siç e kemi lajmëruar më herët, “Dancing With the Stars” për këtë vit nuk do të zhvillohet. Kjo, pasi “Big Brother” nis më herët se vitet e shkuara dhe nuk ka hapësirë mediatike për këtë format.
Një tjetër emision që nuk do ta shohim më në ekran është ai i binjakëve Veshaj. Romeo dhe Donaldi duket se e kanë mbyllur eksperiencën e tyre në televizion, të paktën nën logon e TCH. Romeo është duke përfunduar xhirimet me Elvana Gjatën në serialin e tyre “Tenxherja Kapakun”.
Sakaq, një format që do të mungojë në sesionin e ardhshëm është edhe “Love Island”, që vitin e shkuar u realizua për herë të parë në vendin tonë. Nën drejtimin e Luana Vjollcës, ky format duket se nuk mori pëlqyeshmërinë e pritshme, duke bërë që të zhvendoset për në sezonin tjetër televiziv, ndoshta.
Ndërkaq, Luana do të rikthehet në ekranin e “TV Klan” me formatin e saj “Zemër Luana”. Marina, e cila drejtoi për një muaj me radhë formatin “Kampionët”, dedikuar Kampionatit Europian, pritet të jetë në një hapësirë të re mediatike.
Nga ana tjetër, Roza Lati, pas eksperiencës së saj në “Big Brother”, duket se do të ketë në Top një hapësirë mediatike. Por nuk dihet ende se ku do ta shikojmë Rozën, pasi ende nuk janë mbyllur ndryshimet për nisjen e sezonit të ri.
Natyrisht që deri në nisjen e sesionit të ri në shtator, të shumta do të jenë ndryshimet që do të bëhen. Por ndërkohë që gjithçka bëhet gati, ky është fakti i disa prej emrave më të njohura të ekranit.
Lini një Përgjigje