
Në prag të 50-vjetorit të markës së famshme ‘Armani’, themeluesi Giorgio Armani ka folur sërish për planin e pasardhësve dhe ruajtjen e perandorisë së tij. Stilisti i njohur italian ka treguar se ka besim tek familja dhe rrethi i ngushtë që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës, përfshirë edhe partnerin e tij, Leo Dell’Orco, drejtues i dizajnit të modës mashkullore.
“Planet e mia për të ardhmen janë një kalim gradual i përgjegjësive te njerëzit më të afërt me mua, si Leo, familja dhe ekipi im i punës. Dua që trashëgimia ime të jetë organike dhe jo një moment ndarje”, shprehet Armani për “Financial Times”.
Stilisti 91-vjeçar, vazhdon të jetë jo vetëm drejtor kreativ, por edhe CEO dhe aksioner i vetëm i grupit të tij, që sot përfshin jo vetëm modën, por edhe investime në hoteleri, restaurim, pasuri të paluajtshme dhe argëtim.
Vetë stilisti u kujdes që asgjë të mos i lihet ‘në dorë’ rastësisë: Dokumente të detajuara te noteri rregullojnë ndarjen e aksioneve dhe qeverisjen e grupit, duke ulur mundësinë e mosmarrëveshjeve mes trashëgimtarëve dhe duke siguruar shpërndarjen e 50% të fitimeve neto.
Statuti i fondacionit parashikon gjithashtu rregulla për blerje dhe shkrirje të kompanive të tjera vetëm për të zhvilluar kompetenca që mungojnë brenda grupit, duke ruajtur vlerat dhe vendet e punës. Nga ana tjetër, angazhimi për stilin është i qartë: Një qasje esenciale, moderne, elegante dhe pa shfaqje të tepërt, duke ruajtur vlerat estetike që kanë bërë të famshme markën Armani.
Armani thekson se stili dhe cilësia mbeten mbi trendet e shpejta të modës.
“Nëse ajo që kam krijuar 50 vjet më par,ë vazhdon të pëlqehet edhe nga një publik që nuk ka lindur ende, atëherë ky është shpërblimi më i madh”, shton ai.
Me këtë plan të qartë dhe të detajuar, Armani siguron që perandoria e tij të mbetet në duar të sigurta dhe vizioni i tij për bukurinë të jetojë edhe pas largimit të tij.
Lini një Përgjigje