Meghan Markle ka qenë e distancuar nga babai i saj, Thomas Markle, prej rreth shtatë vitesh, por raportet mes tyre kanë marrë një kthesë të re pas një korrespondence të fundit mes tyre.
Sipas raportimeve, në fund të vitit të kaluar Meghan i ka dërguar një letër të shkruar me dorë babait të saj, i cili po rikuperohej pas një ndërhyrjeje serioze shëndetësore, përfshirë edhe heqjen e një këmbe në një spital në Filipine.
Më pas, Thomas Markle është kthyer në Shtetet e Bashkuara për të vijuar trajtimin e tij mjekësor, çfarë ka ringjallur shpresat për një ribashkim të mundshëm familjar.
Megjithatë, pavarësisht dëshirës së shprehur nga Thomas për të takuar vajzën e tij, nipërit dhe dhëndrin Princi Harry, një takim i tillë konsiderohet ende i vështirë.
Eksperti mbretëror Hugo Vickers ka deklaruar se Thomas Markle “duhet të ndihet jashtëzakonisht i zhgënjyer” nga situata aktuale, duke theksuar se marrëdhëniet familjare mbeten të ndërlikuara.
Në analizat e tij, Vickers ka përmendur edhe periudhën para dasmës së Meghan me Princin Harry, duke sugjeruar se tensionet me të atin mund të kenë ndikuar në raportet familjare dhe vendimet e saj në atë kohë.
Sipas tij, edhe pse Thomas Markle ka folur shpesh publikisht për marrëdhënien me të bijën, ai përshkruhet nga disa si një baba që ka qenë i afërt me Meghan gjatë rritjes së saj, por që sot ndodhet në një situatë të vështirë emocionale dhe familjare.
Pavarësisht përpjekjeve të pjesshme për komunikim, ende nuk ka sinjale konkrete për një ribashkim mes tyre, duke lënë historinë e kësaj marrëdhënieje të hapur dhe të mbushur me pikëpyetje.
Lini një Përgjigje