Aktori i njohur shqiptar Robert Ndrenika ka reaguar publikisht në lidhje me takimin e tij të fundit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke zbuluar detaje nga marrëdhënia e hershme mes tyre.
Në një lidhje telefonike për emisionin Shqipëria Live, Ndrenika u shpreh se miqësia me Veliajn daton që nga koha kur ky i fundit ishte ende nxënës në shkollën 7-vjeçare.
“Unë kam miqësi me Veliajn që kur ka qenë nxënës në 7-vjeçare. E kam ndjerë si djalin tim të adaptuar, e kam dashur. Kohët e fundit nuk kemi pasur shumë lidhje, por i kam vajtur ndonjëherë për kafe. Më donte dhe e doja”, u shpreh aktori.
Ndrenika komentoi edhe debatin e hershëm për shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, duke theksuar se artistët prej vitesh kishin kërkuar një teatër të ri.
Sipas tij, godina e mëparshme ishte në gjendje të degraduar, ndërsa përplasjet për prishjen e saj u kthyen më shumë në një debat politik mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
“Ajo ndërtesë që na mbajti për 50 vite ishte një kalbësirë. Konflikti për prishjen më së shumti ishte debat politik mes PD dhe PS”, tha Ndrenika, duke shtuar se shumë kolegë artistë e kanë mbështetur për qëndrimin e tij.
Lini një Përgjigje