Në një dëshmi të dhënë nën betim në procesin gjyqësor Musk kundër Altman, ish-drejtoresha e OpenAI, Mira Murati, ka deklaruar se drejtuesi ekzekutiv i kompanisë, Sam Altman, nuk ka qenë gjithmonë i sinqertë në komunikimet e brendshme dhe se kjo sjellje ka ndikuar në funksionimin e organizatës.
Sipas saj, Altman ka dhënë informacione të ndryshme nga ato të komunikuara nga drejtues të tjerë dhe ekipi ligjor, veçanërisht lidhur me proceset e rishikimit të modeleve të reja të inteligjencës artificiale.
Në dëshminë e raportuar nga media ndërkombëtare, Murati është cituar duke thënë:
“Jo,” kur është pyetur nëse Altman kishte qenë i saktë në deklarimet e tij për një çështje të brendshme. Ajo ka shtuar gjithashtu se kishte vërejtur: “mospërputhje të theksuara në komunikim” brenda menaxhmentit, duke e përshkruar situatën si një “mjedis shumë të vështirë dhe kaotik”.
Murati ka folur edhe për periudhën e trazuar të vitit 2023, kur Altman u shkarkua përkohësisht dhe më pas u rikthye në detyrë. Sipas saj, kompania ndodhej në një situatë kritike: “rrezik katastrofik për shpërbërje të kompanisë”
Gjatë asaj periudhe, ajo shërbeu për pak kohë si drejtuese ekzekutive e përkohshme, përpara se drejtimi të kalonte fillimisht te Emmett Shear dhe më pas të rikthehej sërish tek Altman.
Më vonë, Murati u largua nga OpenAI dhe themeloi kompaninë e saj në fushën e inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab.
Procesi gjyqësor mes Elon Musk dhe Sam Altman vijon të zbardhë tensionet dhe konfliktet e brendshme në një nga kompanitë më të rëndësishme të inteligjencës artificiale në botë, ndërsa dëshmia e Muratit shton një tjetër dimension në debatin për transparencën dhe qeverisjen e OpenAI.
Lini një Përgjigje