
Pretendime të reja kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një nga misteret më të mëdha të botës së showbiz-it ndërkombëtar, atësinë e fëmijëve të Michael Jackson. Këtë herë, fokusi i thashethemeve është vendosur te djali i tij më i vogël, Blanket, i njohur sot me emrin Bigi, për të cilin po përflitet se mund të jetë djali biologjik i aktorit legjendar të Hollivudit, Marlon Brando.
Prej dekadash, rreth origjinës biologjike të tre fëmijëve të Michael Jackson: Prince, Paris dhe Blanket, kanë qarkulluar teori dhe spekulime të shumta. Sipas këtyre pretendimeve, “Mbreti i Pop-it” nuk do të ishte babai biologjik i tyre, ndonëse familja Jackson i ka mohuar vazhdimisht këto zëra dhe i ka cilësuar si të pavërteta.
Pas ndarjes së Michael Jackson nga Lisa Marie Presley, ishte ish-infermierja Debbie Rowe ajo që pranoi të sillte në jetë dy nga fëmijët e tij, Prince dhe Paris. Ndërkohë, rasti i Blanket, i lindur në vitin 2002 përmes një nëne zëvendësuese, identiteti i së cilës nuk është bërë kurrë publik, ka mbetur edhe më misterioz, duke ushqyer dyshime dhe teori të vazhdueshme ndër vite.
Sipas pretendimeve të fundit, Michael Jackson mund të ketë përdorur një donator sperme për lindjen e Blanket, ndërsa mes emrave të përfolur si donator potencial është edhe Marlon Brando. Dy artistët kishin një miqësi shumë të afërt, fakt që ka shtuar edhe më shumë dyshimet rreth kësaj hipoteze.
Një burim anonim, i cituar nga mediat e huaja, pretendon se kjo e vërtetë e supozuar është mbajtur e fshehtë për vite me radhë dhe se do të ishte e njohur vetëm nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish pranë Michael Jackson dhe familjes së tij.
Megjithatë, deri në këtë moment, nuk ekziston asnjë provë zyrtare, dokument apo konfirmim nga familja Jackson apo ajo e Marlon Brando që të mbështesë këto pretendime. Për pasojë, misteri mbi atësinë e Blanket, ashtu si edhe ai i fëmijëve të tjerë të Michael Jackson, mbetet ende i pazgjidhur dhe vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në historinë e showbiz-it botëror.
Lini një Përgjigje