
Pak ditë më parë, në kryeqytet është zhvilluar “Keinemusik”, një festival i madh me DJ të famshëm i cili përveç zhurmës për prishjen e parkut dhe gjelbërimit të zonës pranë Liqenit të Tiranës ,duket se ka pasur edhe shumë problematika gjatë natës mes të pranishmëve. Shto edhe faktin që shumë bloggere kanë folur në rrjetet sociale për mos organizim siç duhet të këtij eventi, pretendohet se ka ndodhur dhe një incident dhune.
Artela Papazjan, një vajzë e shkolluar për fashion dizajn, e cila punon prej vitesh si stiliste, fashion production, drejtoreshe artistike dhe jeton në Paris, njëkohësisht edhe bloggere, ka treguar në postimin e saj në Instagram një incident.
“Dua të bëj një postim të pazakontë për profilin dhe personin tim.
Natën e 31 majit në eventin e keinemusik jam DHUNUAR nga një person për mua i panjohur, Xhani Demika.
Jam dhunuar VERBALISHT me fjalët më të rënda që mund t’i drejtohesh një femre dhe FIZIKISHT, duke qene e vetme përballë DHUNUESIT dhe bodygurdave të eventit të cilët nuk bënë asgjë për të parandaluar dhunën e ushtruar.
Si këto evente organizohen dhe do të organizohen të tjerë, ku mijëra vajza marrin pjesë dhe askush nuk e imagjinon që në një natë qejfi’ do të dalësh prej aty e denigruar!”
Kryefjala.com fillimisht ka kontaktuar me Xhanin i cili ka thënë se vajza në fjalë ka dashur të bëjë foto me Adam Port dhe nuk e lanë sepse nuk kishte biletë, madje sipas tij deklarata e Artelës është shpifje.
Më tej, Kryefjala.com ka kontaktuar edhe Artelën e cila ka treguar se gjatë mbrëmjes ajo ka patur tavolinën e saj në zonën e backstage dhe ka lëvizur në zonën e backstage pasi ka takuar edhe miqtë e saj po në atë zonë. Ajo ka treguar se qarkullimi gjatë gjithë mbrëmjes ka qenë i lirshëm, derisa Xhani Demika i ka dalë përballë duke e ofenduar me fjalë të rënda dhe duke u kërkuar bodygardëve ta nxirrnin jashtë. Teksa nuk ka patur reagim nga bodygardët ka qenë ai që e ka tërhequr nga krahët duke e ofenduar me fjalë të rënda. Sherri ka patur fjalë banale nga të dyja anët, duke shkaktuar kështu shqetësim për Artelën. Madje ajo tregon se qëllimi nuk ka qenë aspak për foto, sepse nga jetesa e saj në Paris ka patur kontakte me menaxherë e personazhe të njohur, si Adam Port e të tjerë. Ajo ka vazhduar me postime në Instagram, ku dhe vajza të tjera kanë hasur shqetësime të tilla gjatë festivalit. /Kryefjala

Lini një Përgjigje