
Ndihmës Sekretari i NATO-s, Thomas Goffus, zbarkoi sot në Kosovë, me qëllim që të sheshohen tensionet me Serbinë. Ai u takua fillimisht me Vjosa Osmanin.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për de-eskalimin e saj.
Presidentja Osmani falënderoi Ndihmës Sekretarin Goffus për vizitën e tij dhe theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ajo theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se presidentja Osmani nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t`i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ndër të tjera Osmani.
Më pas ai u takua me kryeministrin Kurti. Sipas njoftimit të qeverisë, Kurti e falënderoi atë për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës.
“Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur”, tha kryeministri.
Siç njoftohet, ai e informoi Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës, dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.
“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar. Megjithatë, masat negative të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, që ka sanksionuar agresionin rus në Ukrainë dhe që është në harmoni me politikën e jashtme të BE-së, kanë krijuar asimetri në dialog”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës.
Po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.
Lini një Përgjigje