
Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar situatën në terren....
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, duket se ja ka vënë 'kufirin te thana' Albin Kurtit. Ai zhvilloi disa takime në Kosovë, teksa në një deklaratë është shprehur se veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës.
“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi", tha Goffus për RTK.
Ai tha se shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë. Sipas tij zgjidhja është politike. Teksa ka dhënë sinjale se nuk mbështet tentativat e qeverisë për të hapur urën e Ibrit.
“Është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë. Siç i kemi parë veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”, tha ai.
Guffus shtoi se kjo e rëndon shqetësimin e NATO-s dhe partnerëve për stabilitetin e rajonit dhe Kosovës dhe sigurinë e trupave të saj. Ai tha se ushtarët e KFOR-it mbesin të përkushtuar në detyrë, posaçërisht në veri të Kosovës, me patrullime të rregullta dhe duke monitoruar situatën në terren.
“Ata po punojnë pa pushim për ta mbajtur situatën të qetë, duke implemetuar mandatin e OKB-së. Këtë ua kam thënë të gjithëve me të cilët kam biseduar, që është e rëndësishme të ketë koordinim me NATO-n për një sërë çështjesh përfshirë urën e Ibrit", tha ai.
Lini një Përgjigje