Organizata serbe “Severna Brigada” ka kërcënuar me vdekje ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
Kërcënimi ndaj ministrit Sveçla ka ardhur pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.
Organizta “Severna Brigada” e kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në rrjetin e tij personal 'Facebook' se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.
Lidhur me këtë rast mediat kosovare kanë pyetur MPB-në të cilët kanë deklaruar se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë.
“Komenti siç e keni parë është bërë në faqen publike të Ministrit Sveçla dhe në kuptim të përmbajtjes së mesazhit, rasti tash po trajtohet nga organet e sigurisë”, ka thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.
Ndërkohë, ditën e sotme Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.
Ai ka bërë të ditur se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
“Për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi. Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm.
Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe. Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës.”, shkruan Sveçla.

Lini një Përgjigje