
Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se ka përfunduar vlerësimin për veprimet e policisë lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, Lulzim Fejzullahu.
Hetimet u ndërmorën pas ngritjes së disa çështjeve të cilat janë paraqitur si shqetësim në opinion.
Inspektorati Policor i Kosovës sqaron se nga shqyrtimi i imtësishëm i dosjes rezulton se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë.
Po ashtu, bëhet e ditur se veprimet hetimore në terren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i videove dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Proçedurës Penale dhe proçedurave policore.
IPK-ja ka njoftuar gjithashtu se ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit përmban raportin e shpejtë të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
“Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qëndre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë.
I njëjti raport është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me Kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024)”, thuhet më tej.
Edhe pse ndryshimi i këtij raporti nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit IPK ka vendosur të nisë procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës.
Krahas kësaj, IPK-ja ka njoftuar se do të iniciojë një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës.
Lini një Përgjigje