TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Korrik 2025, 16:37

Votimi i fshehtë, PDK-LDK-AAK nuk tërhiqen: Po mbrojmë Republikën e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Votimi i fshehtë, PDK-LDK-AAK nuk tërhiqen: Po mbrojmë

Ngërçi institucional në Kosovë po vazhdon.

Kuvendi ka dështuar të konstituohet për herën e 44, duke thelluar krizën politike që ka nisur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Seanca e radhës për formimin e komisionit për votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit nuk mori mbështetjen e partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Seanca u ndërpre dhe është paralajmëruar të vazhdojë më 11 korrik, në orën 11:00.

Pavarësisht ndërprerjes, deputetët e opozitës shfrytëzuan foltoren për të akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim dhe shkelje të Kushtetutës.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, me tone ironike iu drejtua drejtuesve të seancës, duke kërkuar kthim te kushtetutshmëria: “U.d., e ftoj kryesuesin të kthehet në pikën e rendit të ditës.”.

Ndërkohë, Paris Guri nga LDK u përplas verbalisht me deputetët e VV-së, duke iu drejtuar me ton kritik deputetes Fitore Pacolli: “Fitore, për çfarë po qesh, a i ke kthyer 200 mijë euro?”

Propozimet për anëtarë të komisionit nuk munguan. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, propozoi Albin Kurtin, duke thënë: “Ne kemi propozimin: Albin Kurtin. Ai që është bllokues duhet me zhblloku”.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se kundërshtimi i tyre ndaj votimit të fshehtë nuk është vetëm procedurial, por për të mbrojtur parimet kushtetuese.

 “Nëse sot lejojmë të shkelet Kushtetuta për një karrige, nesër do të shkelet për një qeveri dhe pasnesër për një ligj”, tha ai.

Kritik u shpreh edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, i cili deklaroi: “44 herë shkelje e vullnetit të qytetarëve, por edhe e Kushtetutës. Vendi po fundoset në krizë të thellë socio-ekonomike.”.

Edhe deputetja Kadrijaj theksoi rëndësinë e mbrojtjes së parimeve republikane. “Do ta mbrojmë Republikën, jo Republikën e LVV-së, por Republikën e Kosovës. E kemi obligim para qytetarëve dhe familjeve të dëshmorëve”, tha ajo.

Pesë muaj pas zgjedhjeve, Kosova ende nuk ka institucione të reja. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përcaktuar që Kuvendi duhet të konstituohet jo më larg se 26 korriku, por partitë parlamentare s’po arrijnë konsensus.

Albulena Haxhiu, kandidatja e VV-së për kryeparlamentare, nuk ka arritur të sigurojë 62 votat e nevojshme në gjashtë tentativa të deritanishme.

Lini një Përgjigje