
Këtë të martë kanë vijuar protestat në tre komunat veriore të Kosovës, Zvecan, Leposaviç dhe Zubin Potok por vihet re një numër i vogël protestuesish.
Në mesin e protestuesve janë kryesisht punëtorët e institucioneve komunale në sistemin paralel serb.
Kujtojmë që në mbrëmjen e djeshme, emisarët e SHBA-ve dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ripërsëritën tre kërkesat për qetësimin e situatës në veri. E para është depërshkallëzimi i situatës në veri, së dyti zgjedhjet në këto komuna dhe së treti rikthimi në dialog.
Pas takimit 2-orësh, me Escobar dhe Lajçak, Albin Kurti ka shprehur angazhimin për të zgjidhur situatën në veri.
Ai u shpreh se për të vijuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet t’i jepet fund sulmeve nga grupet kriminale kundër forcave speciale.
“Në takimin me Escobar dhe Lajçak shpreha angazhimin tim të parezervë për de-përshkallëzimin. Hapat thelbësorë përpara janë një fund i menjëhershëm i sulmeve ndaj forcave të sigurisë nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale dhe roli për të siguruar fushatë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.”- ka shkruar Kurti në një reagim në Twiter.
Lini një Përgjigje