
Detajet e para të natës tragjike të 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 33-vjeçarja, Liridona Ademaj Murseli morën kthesë ditën e djeshme kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kollakën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, familjarët e tij raportuan se kanë anuluar të pamen. Prindërit e Naim Murselit kanë vendosur të kthehen në Suedi. Gazeta Sinjali raporton se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë që tronditi Kosovën ndodhi të mërkurën në rrugën “Dalip Alshiçi” në Prishtinë. Ngjarja u raportua si grabitje që eskaloi në përdorimin e armës nga e cila gjeti vdekjen tashmë e ndjera, Liridona Murseli.
Në vendin e ngjarjes, brenda në makinë prezent ishin burri i Liridona Murselit, Naim Murseli, njëkohësisht ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit. Ai rrëfeu para policisë së ngjarja kishte nisur si grabitje dhe përfundoi me vrasjen e bashkëshortes së tij.
Bashkë me çiftin në veturë ishin edhe dy fëmijët e tyre, të cilët u larguan nga vetura së bashku me babanë e tyre, teksa panë se nëna e tyre u vra nga arma e zjarrit.
“Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhej në njoftimin e policisë.
Por dëshmia e burrit ka ngjallur dyshime, i cili mori fëmijët dhe la bashkëshorten aty. Më pas policia arriti të binte në gjurmët e autorit, i cili pas prangosjes ka rrëfyer gjithçka.
Lini një Përgjigje