
Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili tha se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra pranë vijës kufitare të Kosovës.
Në reagim thuhet se “autoritetet e sigurisë”, kanë parandaluar “prerjen e drurëve ilegalisht”. Vuçiç ka mohuar akuzat teksa është shprehur se Kurti po bën fushatë dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe.
“Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe të Mbrojtës.
“Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës”, vijon njoftimi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha alarmin mbrëmjen e djeshme se Serbia ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, më konkretisht afër Komunës së Kamenicës.
Kurti thekson se qëllimi i Vuçiç është të nxisë tensionet. Ai publikoi disa foto në Facebook, teksa është shprehur se trupat ushtarake serbe u larguan pasi vunë re se autoritetet e Kosovës i kanë filmuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, shkruan gjithashtu Kurti.
Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra. Mbi 60% e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Një pjesë e mirë është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm. Dy vendet kanë arritur marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetor të vitit 2011.
Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative. Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.
Megjithatë, sipas një vendimi të vitit 2014 të komandantit të KFOR-it atëbotë, Policia mund të patrullojë në vijën kufitare Kosovë-Serbi deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse.
Aktualisht KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë. NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Lini një Përgjigje