
Kurti ka kërkuar rikthimin e zonës së sigurisë përreth kufirit me Serbinë...
Rikthehen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë që e gjithë bota po përqendrohet te lufta në Lindjen e Mesme, Vuçiç duket se ka përfituar nga ky “shpërqëndrim”.
Presidenti i Serbisë ka vënë në lëvizje ushtrinë, duke afruar trupat e saj rreth 50 metra pranë vijës kufitare të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë alarmin, teksa shprehet se Vuçiç ka provokuar sot ndërsa shton se qëllimi i tij është të nxisë tensionet.
Kurti shprehet se në momentin që kanë vënë re se janë filmuar dhe fotografuar, forcat serbe janë larguar menjëherë drejt territorit të tyre.

Kryeministri i Kosovës thotë gjithashtu se vendi është duke monitoruar situatën dhe e gatshme në mbrojtje të saj, ndërsa sipas tij Serbia po synon destabizimin e rajonit.
“Serbia sot ka provokuar sërish duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën, në territorin e komunës së Kamenicës.
Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve.
Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë.
Sinergjia ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe bashkëpunimi me partnerët e aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përbën garanci për sigurinë në Kosovë.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.
Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike, me institucionet e saj vigjilente 24/7, duke mbrojtur vendin e duke siguruar monitorim maksimal të situatës”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Po sot, Kurti ka kërkuar rikthimin e zonës së sigurisë përreth kufirit me Serbinë, teksa ka theksuar se brenda dy viteve Serbia ka dërguar ushtrinë e saj 4 herë pranë kufirit.
Por, KFOR ka refuzuar kërkesën e kryeministrit, ku ka deklaruar se zona e sigurisë tokësore dhe ajrore është vendosur plotësisht në vitin 2015.
“KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibël dhe monitoron nga afër situatën. Ne vazhdojmë të përmbushim mandatit tonë nga Kombet e Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – duke kontribuuar në një mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Ky është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR. /Pamfleti
Lini një Përgjigje