TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Janar 2024, 17:03

U arrestua në kufi me Serbinë, ish-ushtari i UÇK-së dërgohet në paraburgimin e Beogradit; akuzohet për krime lufte

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua në kufi me Serbinë, ish-ushtari i UÇK-së

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj u arrestua 2 ditë më parë nga autoritetet serbe në Merdarë, teksa po kalonte kufirin për të shkuar drejt Italisë. Ai akuzohet për krime lufte në vitin 1999.

Mësohet se Dakaj është transferuar në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati i tij Xhevdet Smakiqi nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Informatat e fundit për rastin e arrestimit e Hasan Dakajt që i kam marrë janë se tashmë Hasan Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kurshumli në qendrën kryesore të paraburgimit në Beograd në rrugën “Baçvanska”, shkruan ai në postimin e tij.

Sipas tij, Prokuroria e Serbisë pretendon se Hasan Dakaj ka kryer krime lufte në vitin 1999.

“Pjesëtari i UÇK-së Hasan Dakaj pretendohet nga Prokuroria serbe se kinse ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte si 19 vjeçar. Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve te prokurorisë së Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me dikë tjetër”, shprehet avokati.

Ish-luftëtari i UÇK-së, së bashku me vëllain e tij Xhevit Dakaj ishin nisur drejt Italisë por u ndaluan dhe arrestuan në pikën kufitare të Merdares teksa hynin në territorin serb. Kosova kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në lirimin e të arrestuarit.

Lini një Përgjigje