TAGS-AT E JAVËS

Kosova20 Nëntor 2023, 16:51

Stoltenberg paralajmëron nga Kosova: Sulmi i 24 shtatorit, sinjal se konflikti në Ballkan mund të rikthehet

Shkruar nga Pamfleti
Stoltenberg paralajmëron nga Kosova: Sulmi i 24 shtatorit, sinjal se
Stoltenberg

Shefi i NATO tha se ngjarja e 24 shtatorit është një sinjal se konflikti në rajon mund të rikthehet, por e bëri të qartë se KFOR do të jetë aty për të garantuar që kjo të mos ndodhë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dërguar mesazh të qartë nga Prishtina se NATO nuk do të lejojë asnjë vatër konflikti aty.

Teksa zërat janë shtuar se në Ballkan Moska po tenton një tjetër luftë, shefi i NATO shkoi sot në Prishtinë. Pas një takimi me presidenten Vjosa Osmani, ai tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.

Shefi i NATO tha se ngjarja e 24 shtatorit është një sinjal se konflikti në rajon mund të rikthehet, por e bëri të qartë se KFOR do të jetë aty për të garantuar që kjo të mos ndodhë.

Në shtator pamë ndezje të dhunës në veriun e Kosovës, që ngriti shqetësime se si një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor. Në maj trupat e KFOR-it u sulmuan, duke lënë 93 ushtarë të NATO-s të lënduar rëndë dhe disa janë lënduar për tërë jetën. Sulmet e tilla të dhunshme janë të papranueshme, autorët e sulmit duhet të mbahen përgjegjës”, ka theksuar sekretari i NATO-s.

Ai shtoi se NATO do të zbatojë mandatin e misionit të tij në Kosovë, KFOR, për të ofruar mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet. Ai po ashtu mirëpriti draft-statutin e ri për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Themelimi i Asociacionit “do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të raporteve dhe drejt paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Stoltenberg.

I pyetur për mundësinë që Kosova të bëhet pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe, Stoltenberg tha se për këtë kërkohet vendim unanim i të gjithë anëtarëve të aleancës.

Para Kosovës, Stoltenberg qëndroi në Bosnje e Hercegovinë, ku u takua me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.

Në Sarajevë shefi i NATO-s tha se aleanca është e shqetësuar me retorikën e ndarjes dhe me ndikimin rus në rajon.

Lini një Përgjigje