
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ishte “i pritshëm”. Dhe për këtë duket se fajëson Turqinë.
“Tani është e qartë se sa i rëndësishëm ishte qasja liberale e Bashar al-Assad ndërsa ishte në krye të Sirisë, dhe gjithashtu është e qartë kur vjen dikush që është nën ndikim të madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia”, tha Vuçiç gjatë një konference për media në Uzbekistan më 30 tetor.
Vuçiç shtoi se në Siri “marrin urdhër dhe veprojnë sipas urdhrit” dhe tha se Serbia do të ketë diçka “me të cilën t’i gëzojë”, por nuk sqaroi se çfarë është fjala.
Siria njohu pavarësinë e Kosovës më 29 tetor, njoftuan zyrtarët e të dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Riad presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.
Siria ka përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, gjatë një ofensive të udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS).
Që nga janari i këtij viti, në krye të vendit është Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi luftëtarët e opozitës në rrëzimin e Assadit, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij, raporton REL.
Lini një Përgjigje