
I dërguari i Presidentit Amerikan Donald Trump, Richard Grenell ka kritikuar ashpër procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish presidentit të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës, Hashim Thaçit.
Grenell, i cili ka qenë prej kohësh një nga njerëzit më pranë Trumpit, e cilësoi rastin e Thaçit si shembull ilustrues të dështimit të Europës. Ai shtoi se një numër i madh politikanësh evropiane po zgjedhin të mbyllin sytë përpara kësaj.
“Ka shumë arsye përse Evropa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve europianë që heshtin për Hagën e cila mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat më shumë vite. Është një sistem brutal arkaik i drejtuar nga elitat”, ka shkruar Grenell në platformën X.
Ai tha gjithashtu se “shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një Gjykatë Amerikane kur të jetë jashtë.
Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë komande.
Lini një Përgjigje