
Qyteti i Pejës në Kosovë është përballur këtë mbrëmje me shira të rrëmbyeshëm duke sjellë përmbytje dhe probleme në qarkullimin rrugor.
Zonat me gjendjen më të rënduar janë qendra e qytetit, rruga “7 shtatori” si dhe pjesa afër stacionit të trenit.
“Pjesa e qendrës është në gjendje më të rëndë, rruga ‘7 shtatori’ si dhe te stacioni trenit. Sigurisht ka edhe lagje të tjera, por këto kemi arritur që t’i shohim pasi jemi në terren bashkë me kryetarin. Shiu është aq i madh se që nuk po kemi mundësi as të intervenojmë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj.
I pyetur nëse kanë marrë kërkesa nga qytetarët për t’iu shkuar në ndihmë, Zekaj ka thënë se nuk kanë pasur rast të tillë, teksa ka shtuar se në disa banesa uji ka vërshuar në bodrume.
“Nuk kemi marrë kërkesa nga qytetarët për t’iu dalë në ndihmë, por disa janë ankuar se rrugët janë mbushur me ujë dhe uji ha hyrë në podrume, por kjo është e kuptueshme sepse ka sasi shumë të madhe të ujit. Nuk kam parë asnjëherë kurrë sasi kaq të madhe të uji në qytet”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje