
Kosova ka marrë një mbështetje të re të fuqishme nga aleati i saj kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të premten është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të 50 automjeteve të blinduara për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), një investim që pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka bërë të ditur se ky transferim është një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve. “Kosova, duke përdorur burimet e saj mbrojtëse, do t’i sjellë këto automjete në kapacitet të plotë operacional, duke shënuar një hap tjetër në angazhimin tonë të përbashkët për forcimin e kapacitetit mbrojtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e sigurisë së të dy kombeve tona”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për FSK-në. “Ky angazhim për transformimin në një Forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetje nga një partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”, ka shkruar ai.
Ky furnizim i ri vjen në një moment kur FSK po avancon drejt standardeve të NATO-s, duke rritur aftësitë për të përmbushur misionin kushtetues të mbrojtjes së vendit dhe stabilitetit rajonal.
Lini një Përgjigje