
Kanë kaluar më shumë se dy muaj kur Bashkimi Evropian vendosi për herë të parë sanksione ndaj Kosovës, këto për të ndëshkuar kursin e veprimit të Kosovës në instalimin me forcë të kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të vendit si dhe kursin e mosveprimit për shtensionim të situatës atje.
Këto masa, të cilat u prezantuan më 28 qershor, janë ende në fuqi.
Ndaj këtyre masave ndëshkuese ka folur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili ka thënë se Kosova është dëmtuar në dy fusha.
Sipas Rafunës, së pari është dëmtuar çështja e imazhit dhe se dyti në aspektin material, duke shtuar se kompanitë kosovare kanë pësuar.
“Masat ndëshkuese që i janë vendos Kosovës e kanë dëmtu Kosovën në dy fusha. E para, në çështjen e imazhit, nuk ka qenë imazh i mirë, nuk ka qenë mesazh i mirë, për investitorët e huaj dhe e dyta është në aspektin material, ku kompanitë tona kanë pësu, kanë pësu edhe qytetarët e Republikës së Kosovës.” – ka thënë Rafuna për Ekonomia Online.
Ndër të tjera ai ka përmendur edhe rastin e Fondit për Digjitalizim, ku ka thënë se të gjitha vendet e rajonit kanë marrë hisen e tyre, ndërsa Kosova është përjashtuar.
“Kishim rastin e Fondit për Digjitalizim, ku të gjitha vendet e rajonit e morën hisen e vet, ndërsa Kosova u përjashtua nga e drejta për ta shfrytëzu atë hisen e vet që i takon në Fondin e Digjitalizimit. Tani po hyjmë në muajin shtator, tetor dhe nëse këto masa na mbesin në fuqi dhe veprohet siç është vepruar me këtë fond, atëherë ne do të përjashtohemi edhe prej fondeve të tjera dhe kështu që më së shumti do të pësojnë kompanitë tona.” – ka thënë Rafuna.
Nga ana tjetër edhe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë pasur efekte të dëmshme te qytetarët, në sektorin e biznesit dhe institucionet shtetërore në territorin e Kosovës.
Duke folur për Radiotelevizionin e Kosovës(RTK), Kurti ka vlerësuar inkurajuese përqendrimin e përbashkët në procesin e integrimit evropian.
Kryeministri shpreson që kjo të ndihmojë vendet e rajonit të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa njëkohësisht të kontribuojë në demokracinë dhe progresin ekonomik në Kosovë.
“Është shumë inkurajuese që ekziston një alarm i përgjithshëm për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, në mënyrë që shtetet të cilat duan të bëhen pjesë e BE-së ta kenë më reale një mundësi të tillë, dhe demokracia dhe progresi ekonomik në vendin tonë padyshim që japin shpresa edhe për qytetarët e Kosovës, por njëkohësisht edhe për BE-në që të na ndihmoj më shumë." - pohoi Kurti për RTK-në.
Ai ka argumentuar se ndërsa Kosova po lufton kundër ekstremizmit dhe dhunës në veri të vendit, ndëshkimet nga BE-ja kanë ndikuar në përpjekjet e vendit për të përmbushur detyrimet e marrëveshjes së stabilizim-asocimit.
“Ka pasur disa sanksione, ndaj vendit tonë demokratik, për shkak të gjendjes në veri, për të cilën gjë nuk kemi ndonjë përgjegjësi, ne po luftojmë ekstremizmin e dhunshëm atje, ku janë sulmuar ushtarët e KFOR-it, qytetarët e Kosovës dhe gazetarët. Është e vërtetë që qytetarët po i vuajnë këto masa, komuniteti i biznesit por edhe agjencitë shtetërore në aspektin e marrëveshjes së stabilizim asocicimit, e cila nuk po ecë tutje. Të gjitha grantet janë pezulluar, dhe heqja e këtyre masave është gjëja e duhur që duhet ta bëjë BE-ja.” - ka deklaruar Kurti.
Lini një Përgjigje