Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në “Samitin për Demokracinë” në Uashington ftoi shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’u bëj thirrje shteteve miqësore nëpër botë të qëndrojnë me Kosovën, e për ato të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë dhe institucionet demokratike të Kosovës, [u bëj thirrje] t’i bashkohen shumicës së shteteve të botës e ta bëjnë këtë”, tha ajo.
Aktualisht bazuar në listën e publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Gjithashtu Osmani falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe kontributin në Kosovë. Ajo tha se SHBA është vendi po bën dhe do të bëjë “punë të palodhshme për ta ruajtur demokracinë”.
“Ftoj të gjithë të qëndroni me ne, Kosovën, e ne të vazhdojmë të jemi aleat i besueshëm dhe kampion i demokracisë”, tha presidentja.
Lini një Përgjigje